Në shtator 2025, në hyrje të një pallati të braktisur në zonën e Alliasit, Tiranë, u gjet i shtrirë përtokë Fadil Tuzi, 39 vjeç, nga Shkodra, me dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Ai qëndroi mbi 20 ditë në Spitalin e Traumës dhe më pas ndërroi jetë. Motra e tij, Esmeralda Koçi, kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke dyshuar, se vëllai është vrarë. Sipas saj, një person me të cilin viktima shoqërohej dhe një lidhje paralele e të dashurës së tij, mund të jenë shkak i ngjarjes. Një dëshmitare deklaron, se e gjeti viktimën rreth orës 08:15 të gjakosur dhe se e kishte parë pak ditë më parë në shoqërinë e një gruaje. Familja pretendon, se ekzistojnë pamje video, ku shfaqen persona të dyshuar, ndërsa policia konfirmon mungesën e kamerave funksionale në zonë. Për shkak të sekretit hetimor, Prokuroria e Tiranës jep pak detaje, por konfirmon, se çështja po hetohet për vrasje me dashje, ndërsa familja kërkon hetim të plotë të të gjithë personave, që kanë pasur kontaktet e fundit me viktimën.




