Kryeministri Edi Rama në një video live në rrjete sociale deklaroi se samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor ishte inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën.
Rama theksoi se qëndrimi i hapur dhe i sinqertë në dialogun me partnerët europianë është një element kyç për forcimin e vlerës së Shqipërisë në Bruksel.
Sipas tij, respekti dhe vlerësimi që Shqipëria gëzon sot është rezultat i transparencës, profesionalizmit dhe vendosmërisë për të ndjekur objektivat strategjike të vendit.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Presidentes Vjosa Osmani në zhbllokimin e fondeve të Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Kemi përmbyllur mbrëmë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që ka qenë inkurajues dhe i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën. Presidentja Osmani ka shkëlqyer dhe, me fjalë bindëse dhe punë këmbëngulëse, ia ka dalë që të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga BE-ja. Për Shqipërinë jemi në kushte që nuk kemi qenë ndonjëherë: të respektuar dhe të vlerësuar maksimalisht në tempullin e Europës në Bruksel, ku qëndrimi im ka qenë ai që dini. Qëndrimi im ka qenë troç, i drejtë dhe pa dorashka. Unë them atë që mendoj dhe bëj atë që them. Detyrat e shtëpisë i bëjmë në mënyrë korrekte, sepse duhet të jemi pjesë e BE-së. Në fjalën tonë e themi hapur, drejt në sy, dhe kjo na e ka rritur vlerën në këto tryeza. Hapja e të gjithë kapitujve është për ne inkurajim”, tha Rama.




