Në nisje të vizitës së saj zyrtare në Athinë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit mëngjesin e sotëm nga Presidenti i Greqisë, Konstantinos Tassoulas.
Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.
“Ne e shohim zgjerimin si një investim strategjik në stabilitet, mundësi dhe konsolidim demokratik, veçanërisht ndërsa Greqia përgatitet për Presidencën e Këshillit të BE-së në vitin 2027”, tha Spiropali.
Ministrja shtoi gjithashtu se “marrëdhëniet shqiptaro-greke, të ndërtuara mbi lidhje të forta njerëzore, duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymë të mirë, të lidhura nga interesat tona të përbashkëta strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane”.
Presidenti Tassoulas përgëzoi Ministren për investimin në reformat serioze që kanë shtyrë përpara progresin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke e afruar vendin me objektivin strategjik për integrim në BE.
Ministrja Spiropali vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe rolin e Greqisë si partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë.




