Parajsë e re fiskale në Mesdhe, pensionistët italianë zgjedhin Shqipërinë

Në vitet e fundit, në hartën e preferencave të pensionistëve italianë që zgjedhin të jetojnë jashtë vendit po përfshihet gjithnjë e më shumë Shqipëria. Mediat italiane raportojnë se, ndërkohë që fluksi drejt Portugalisë po bie ndjeshëm, sidomos pas heqjes së lehtësimeve fiskale për të ardhurit pas vitit 2024, Shqipëria po ngjitet si një ndër destinacionet më të leverdishme falë politikave fiskale shumë konkurruese dhe kostos së ulët të jetesës.

Sipas të dhënave të fundit, numri total i pensionistëve italianë që transferohen jashtë vendit është ulur me 23.8% gjatë periudhës 2018–2024. Megjithatë, mes vendeve që po fitojnë terren, Shqipëria ka shënuar rritjen më të theksuar.

Nga viti 2019 deri në 2023, rreth 200 pensionistë italianë janë transferuar në Shqipëri, prej të cilëve 100 vetëm gjatë vitit 2023. Në raport me përmasat e vendit dhe periudhën e shkurtër kohore, kjo rritje konsiderohet jashtëzakonisht e lartë.

Pse po e zgjedhin Shqipërinë

Shqipëria ofron një paketë të favorshme për pensionistët e huaj, përfshirë zero tatim mbi pensionet e marra nga jashtë (nga viti 2021); kosto jetese shumë më të ulët se në vendet e BE-së, klimë të butë mesdhetare si dhe akses të shpejtë me Italinë përmes fluturimeve të shpeshta.

Komunitete italiane tashmë të krijuara në qytete si Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora
Shqipëria po shndërrohet gradualisht në një “Hammamet të ri”, por me standarde më të larta urbanistike dhe afërsi gjeografike me Italinë, çka e bën shumë tërheqëse për të moshuarit që kërkojnë të jetojnë me më pak kosto pa u shkëputur nga vendi i tyre. Ndër destinacionet kryesore vazhdojnë të jenë Spanja dhe Tunizia. Vetëm në Spanjë jetojnë mbi 8.400 pensionistë italianë dhe, pavarësisht kostove pjesërisht më të larta, vendi ofron ulje të konsiderueshme fiskale dhe shërbime tashmë të konsoliduara.

Të Fundit