Meta nga burgu: Çështja e Detit me Greqinë nuk duhet të trajtohet si tender sekret

Ish-presidenti Ilir Meta, ka reguar me një status në rrjete sociale ku ka ngritur shqetësimin sipas tij për mënyrën si po trajtohet çështja e detit me Greqinë.

Ai akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe veprime që, sipas tij, mund të dëmtojnë interesat e Shqipërisë.

Meta rikujton se çështjen e ka ndjekur për 13 vite, nga posti i ministër i Jashtëm deri te ai i Presidentit ndërsa paralajmëron se nëse Shqipëria i drejtohet Gjykatës së Hagës për “të gjithë çështjen”, dakordësitë e vitit 2018 rrezikojnë të shfuqizohen, përfshirë edhe vijën e drejtë bazë dhe 40 km² sipërfaqe detare.

Ish-presidenti apelon që çështja të mos trajtohet si “tender sekret” dhe i bën thirrje institucioneve të veprojnë me transparencë.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

“Çështja e Detit si interes kombëtar, jo si tender sekret”

“Çështja e Detit është jo vetëm shumë herë më e “thellë” se vetë Deti Jon, por edhe aq e shëmtuar fatkeqësisht, në kontrast të plotë me bukurinë përrallore të Jonit. Këtë çështje, për shkak të detyrave shtetërore, kam qenë i detyruar ta ndjek për gati 13 vjet, prej funksioneve të larta, nga Ministër i Jashtëm në shtator 2009 e si President i Republikës deri në korrik 2022.

Akti i fundit zyrtar që kam bërë si President i Republikës ishte informimi zyrtar nominal i çdo deputeti të Kuvendit lidhur me ecurinë e kësaj çështjeje gjatë pesë viteve që unë shërbeva si President i Republikës.

Ky akt synonte, jo vetëm realizimin e një transparence, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vëmendjes që kërkonte kjo çështje tejet e koklavitur, por kurrë prej meje.

Dihet se, falë ankimit të Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese u investua duke nxjerrë një vendim të posaçëm kushtetues si udhërrëfyesi i vetëm për parimet dhe rrugët e negocimit deri në përcaktimin në detaje të rolit të çdo institucioni shtetëror.

Në respekt të këtyre detyrimeve kushtetuese, kam bashkëpunuar me qeverinë, duke dhënë edhe autorizimin për krijimin e grupit negociator.

Por çuditërisht, në vitin 2018, pala greke kërkoi të operohej në bazë të vullnetit politik, çfarë nuk ishte kompetencë e grupit negociator.

Në këto rrethana të reja, si President i Republikës pres në takim Kryeministrin Rama për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila tani kishte vetëm një rrugë: autorizimin e Kryeministrit për drejtimin e negociatave.

Për mua kjo ishte plotësisht e logjikshme, duke pasur në konsideratë se Kryeministri ishte edhe bartës i vullnetit të shumicës në Kuvend, roli i të cilit ishte dhe mbetet i pashmangshëm në çdo marrëveshje të tillë.

Por dakordësia e këtij takimi jo vetëm që nuk u shoqërua kurrë me një kërkesë për autorizim nga Kryeministri dhe qeveria, por përkundrazi, u shoqërua me një ndërprerje të njëanshme të komunikimit institucional për këtë çështje, për të vazhduar më tej me dizinformacione ndaj palës greke, sikur Presidenti i Republikës bllokonte procesin, aq sa Z. Avramopulos u habit pas takimit me mua për dy histori krejt të ndryshme që dëgjonte për të njëjtën çështje.

Jo vetëm kaq, por qeveria vazhdonte sjelljet e saj jotransparente dhe Kryeministri, si shejtan-budalla, bënte edhe deklarata publike për këtë çështje, të cilat mund të rëndonin pozitën e shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.

Aq shumë ishte helmuar pala greke me dizinformacione sa Ministri i Jashtëm atë kohë, Z. Dendias, pasi i refuzoi Ministres së Jashtme modifikimin e dakordësisë së 20 Tetorit 2020 që kishte arritur me Kryeministrin Rama, deklaroi se puna për mbylljen e Marrëveshjes së Detit do të fillonte sapo në zyrë të hynte Presidenti i ri i Shqipërisë (pra të ikte Meta).

Sot, që unë po shkruaj këto radhë, kanë kaluar tre vjet e gjysmë që nuk jam në zyrën e Presidentit, por jam në një “zyrë” të re edhe për shkak të (mos) Marrëveshjes së Detit.

Meqë këtu, në “zyrën” e re, u informova nga mediat shqiptare, të cilat ishin informuar nga mediat dhe autoritetet greke, për vizitën e afërme të Ministres së Jashtme të vendit tonë, ku theksohej se temë kryesore do të ishte edhe Çështja e Detit, vetëm në interes të suksesit të kësaj vizite, por edhe mbrojtjes konstruktive e legjitime të interesave sovrane të Shqipërisë, do të doja të ndriçoheshin sa të ishte e mundur disa pyetje dhe disa çështje jetike, për të cilat nuk flitet askund.

Në 20 tetor 2020, Rama-Dendias ranë dakord të shkojnë në Hagë për Detin, si dhe të shkojnë për gjithë çështjen, duke bërë kështu NUL negociatat dhe dakordësitë e vitit 2018.

Kur u mor vendimi nga Kryeministri, nuk kishte dhe ende nuk ka (në dijeninë time) grup negociator.

Pas autorizimit duhet të ngrihet Grupi Negociator për hartimin e Marrëveshjes Speciale të ratifikuar nga dy vendet dhe që i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare.

Kjo Marrëveshje përmban pyetjet për gjykatën, që zakonisht kërkon zgjidhjet për mosdakordësitë.

Vendimi i Kryeministrit Rama për të shkuar në Hagë për të gjithë çështjen është jashtë kompetencave të tij kushtetuese dhe ngritja e grupit nënkupton legjitimitimin e vendimit të tij (fakti i kryer).

Çfarë u arrit në vitin 2018 sipas dijenisë time?

U reflektuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese:

Titulli i Marrëveshjes, parimi i delimitimit me distanca të barabarta dhe korrektuar për Equitenë, u hoq neni 2 i Marrëveshjes, u vlerësua kufiri në Gjirin e Ftelias.

Përveç këtyre, Greqia njohu vijën e drejtë bazë të Shqipërisë me efekt 40 km² dhe si bazë ligjore në tekst u përfshi Protokolli i Firences i 1925 për kufijtë tokësorë.

U dakordësua teksti i Marrëveshjes, vija me distanca të barabarta, si dhe parimi i Equitesë për shkëmbinjtë në detin territorial dhe ishujt në Shelfin Kontinental dhe ZEE.

Çfarë ndodh nëse shkojmë për të gjithë çështjen në Hagë?

Dakordësitë e 2018 bëhen NUL dhe e gjithë çështja konsiderohet mosra-kordësi.

Bie përfshirja e Protokollit të Firences 1925 në draft-marrëveshje.

Bie sipërfaqja 40 km², sepse rrezikohet të na rrëzohet vija e drejtë bazë.

Nëse shkohet për të gjithë çështjen në Hagë, vija e drejtë bazë do të përbëjë mosdakordësi dhe do merret në shqyrtim nga GJND, dhe gjasat janë ta rrëzojë (precedenti Somali-Kenia).

E vetmja mundësi që Greqia të rrëzojë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë është një vendim gjykate.

Ndërkohë që Greqia e njohu në negociatat e 2018, sepse nuk kishte mundësi ta kontestonte në rrugë diplomatike.

Kështu do të humbisnim dhe 40 km². (Përsëri?)

Në dijeninë time e konfirmon edhe kompania e Znj. Blair “Omnis Strategy”, që u pagua 3 milion euro dhe dorëzoi raportin final me konkluzionin se “rrëzikon vijën e drejtë bazë në Hagë”.

Ishte pikërisht ky raport dhe konkluzioni i “Omnis Strategy” që e detyroi Ministren e Jashtme, Znj. Olta Xhaçka, në maj 2022, t’i kërkonte homologut grek Z. Dendias modifikimin e dakordësisë të 20 tetorit 2020, Rama-Dendias, që u refuzua nga ky i fundit, që mezi priste largimin e Presidentit të Republikës.

Meqë po bëhen katër vite që e kemi paguar 3 milion euro “Omnis Strategy”, kur do të njihemi me konkluzionet dhe vlerësimet e saj?

A e ka Presidenti i Republikës këtë raport të plotë? Po Kryetari i Kuvendit?

Po Kryetarët e Grupeve Parlamentare? Po Komisioni i Ligjeve? Po Komisioni i Jashtëm?

A janë në dijeni këto institucione dhe funksionarë për shkak të detyrës së tyre nëse Greqia ka dorëzuar një draft të Marrëveshjes Speciale për negocim?

Po për përmbajtjen e draft-marrëveshjes të MEPJ?
Për çfarë do shkohet në Hagë?
Për të gjithë çështjen apo vetëm për çfarë nuk është rënë dakord në 2018?
A ka përputhje dhe për çfarë çështjesh midis draftit grek dhe atij shqiptar për Marrëveshjen Speciale?

Ju lutem të gjithë të mos e trajtoni çështjen e Detit si tokë e Gjipesë ose tender sekret, sepse nuk do të ketë mundësi korrigjimi.

Ndaj në mënyrë transparente, konstruktive dhe profesionale, ndihmojeni edhe Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë. Edhe një konsultë me negociatorët e 2018 nuk do të ishte humbje kohe. Po kështu edhe me ish-anëtarët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Meta.

 

Të Fundit