800 nxënës dhe studentë iu bashkuan dje aksionit për pastrimin e bregdetit të Velipojës.
Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, këta të rinj dhanë një shembull frymëzues në shërbim të një mjedisi të pastër për të gjithë.
Kryeministri Edi Rama, e cilësoi këtë si një “shembull frymëzimi nga 800 nxënës e studentë që morën pjesë në pastrimin e bregdetit të Velipojës”.
Të rinjtë u bashkuan në këtë aksion, pas punës së kryer nga bashkia Shkodër dhe ndërmarrja e shërbimeve publike. Energjia e tyre i dha aksionit një dimension krejt tjetër: jo thjesht pastrim, por vetëdije, model dhe frymë.
Ky aksion shënoi një mobilizim të rëndësishëm qytetar në mbrojtje të mjedisit dhe pritet të vijojë me iniciativa të tjera bashkëpunuese mes të rinjve, institucioneve dhe komunitetit lokal.
Sot në botë, vlerësohet se ka rreth 1 miliard vullnetarë. Rreth 70% bëjnë vullnetarë joformalisht, duke ndihmuar drejtpërdrejt njerëzit në komunitetet e tyre, ndërsa 30% angazhohen përmes organizatave formale.
Këtë vit, nën temën frymëzuese “Çdo kontribut ka rëndësi”, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve 2025 merr një rëndësi historike pasi shënon fillimin zyrtar global të Vitit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Zhvillim të Qëndrueshëm (IVY 2026).



