Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar licencen për hapjen e “JET Bank”, e cila synon të operojë në mënyrë plotësisht digjitale në Shqipëri. Ky miratim, i njohur si Faza e parë e procesit të licencimit, mundëson vijimin e procedurave të mëtejshme për ngritjen dhe funksionimin e institucionit të ri financiar.
JET Bank prezantohet si një aktor i ri me ambicie të qarta për të ndryshuar mënyrën se si ofrohen shërbimet bankare në vend. Modeli i saj bazohet në teknologji të avancuar, procese të automatizuara dhe qasje “digital–first”, duke synuar të reduktojë burokracitë tradicionale dhe të ofrojë përvojë më të shpejtë, më të sigurt dhe tërësisht të personalizuar për klientin.
Thelbi i filozofisë së bankës është krijimi i një platforme të thjeshtë për përdoruesin, ku çdo shërbim – nga hapja e llogarisë deri te kreditimi apo pagesat – mund të kryhet përmes aplikacionit.
Pas strukturës së “JET Bank” qëndron një investitor britanik, i cili drejton një kompani konsulence dhe shërbimesh financiare me bazë në Londër. Angazhimi i tij në tregun shqiptar sjell një dimension të ri te investimet në sektorin bankar, duke e pozicionuar “JET Bank” si projekt me kapital ndërkombëtar dhe prirje të qarta inovacioni.



