Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se Kolegji i këtij institucioni është mbledhur për shqyrtimin paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri Edi Rama, lidhur me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, vendim i marrë më herët nga GJKKO.
Pas analizës së parë të çështjes, Kolegji vendosi që kërkesa t’i kalojë Mbledhjes së Gjyqtarëve, e cila do të vlerësojë tani nëse plotësohen kriteret e nevojshme të pranueshmërisë për të kaluar ose jo në seancë plenare.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon:
Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.
Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Nëse Mbledhja e Gjyqtarëve e pranon kërkesën, Gjykata Kushtetuese do të vendosë më pas nëse do të pezullojë vendimin e GJKKO-së për Belinda Ballukun apo do ta lërë atë në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit.



