Rama: Pezullimi i Ballukut, s’ka rast të dytë në botë

Kryeministri Edi Rama reagoi pasi Gjykata Kushtetuese kaloi për shqyrtim ankimimin e tij ndaj vendimit të GJKKO-s për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin social X, Rama thekson se është e vështirë të gjesh një rast të ngjashëm në nivel ndërkombëtar ku një prokuror dhe një gjykatës, madje edhe i shkallës së parë, të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.

“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës, për më tepër edhe i shkallës së parë, pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Të më thoni se kjo qenka kaq normale, megjithëse s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri! E pra, pavarësisht se nga dita e parë kam qenë, jam dhe do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të ecë. Me ndryshimin që, kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cenon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës. Le të jemi të qartë: qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor e kthen kurën me mjete të tilla në një të keqe edhe më të madhe se vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush”, shkruan Rama.

Të Fundit