Spiropali kujton Ibrahim Rugovën me rastin e datëlindjes së tij: Ishte misionar që nuk udhëhiqej nga turmat

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka kujtuar ditëlindjen e Ibrahim Rugovës, ‘Presidentit historik të Kosovës’.

Nëse ai do të ishte ende në jetë, do të festonte 81-vjetorin. E për këtë, Spiropali e ka kujtuar me një postim në rrjetin social, duke e cilësuar Rugovën si prijës politik e shpirtëror misionar.

Spiropali shkruan më tej se “Rugova nuk udhëhiqej nga turmat, por ai i udhëhiqe ato nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës”.

Postimi i plotë i Spiropalit:

Ibrahim Rugova

Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.

Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.

Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.

Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.

Rugova nuk udhëhiqej nga turmat.

Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.

Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.

Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.

Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur.

Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë.

Të Fundit