Berisha uron shqiptarët: 28 Nëntori, ditëlindja e re të kombit tonë të lashtë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me ditën e Pavarësisë. Berisha e ka cilësuar 28 Nëntorin ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë dhe Shqipërisë së Pavarur.

Ai nderoi shqiptarët që sakrifikuan jetën e tyre për për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Kryedemokrati ndër të tjer uroi shqiptarët kudo që ndodhen në këtë festë të rëndësishme.

“Gëzuar 28 nëntorin DITËLINDJEN E SHQIPËRISË SË PAVARUR. Miq, sot mbarë kombi ynë në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët, feston 28 nëntorin si festën e të gjitha festave ditën e Flamurit tonë Kombëtar ditën e shpalljes më 28 nëntor të vitit 1912 nga Ismail Bej Vlora të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ndaj sot në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë 113 vjetorin e saj ne nderojmë dhe përulemi me mirënjohjen më të thellë për Flamurin tonë Kombëtar, babain e Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Bej Vlorën dhe Isa Boletinin dhe etërit e tjerë të saj, nderojmë qindra e mijëra shqiptarë që sakrifikuan jetën e tyre në të gjitha kohërat për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor për Shqipërinë e Lirë dhe të pavarur.

Prandaj të dashur miq ju ftoj t’i urojmë së bashku Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë gëzuar këtë ditë, përjetësi, zhvillim dhe begati. Më 28 nëntor të vitit 1443 prijësi i përjeteshëm i kombit Shqiptar ngrit Flamurin e Lirisë në Krujë dhe për më shumë se gjysëm shekulli shëndrroi Krujën dhe Arbërinë në kështjellën e pamposhtur të lirisë.

Sot në ditëlindjen e re të kombit tonë të lashtë ne nderojmë prijësin tonë të përjeteshëm Skenderbeun, luftërat e tij legjendë që i dhanë kombit shqiptar pavdekësi.

Po këtë datë 81 vjet më parë nga Shqipëria u larguan pushtuesit e huaj dhe hyri si “çlirimtar” Enver Hoxha i cili pasi shndërroi luftën e Shqiptarëve kundër pushtueseve të huaj në një luftë vëllavrasëse vendosi në Shqipëri si Hitleri shqiptar i pas Luftës së Dyte Botërore diktaturën staliniste më mizore që shqiptarët kanë njohur në historinë e tyre.

Por ne festojmë këtë ditë të madhe nën diktaturën e narkoshtetit të Edi Ramës, Pashiqit të Tiranës që në një hark kohor 10 vjeçar ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, zëvendësoi zgjedhjet e lira me farsat zgjedhore dhe me politikat e regjimit kleptokratik po shkreton dhe zbrazë sa asnjë pushtim tjetër në histori Shqiperinë nga shqiptarët.

Vetëm për në zonën Shengen në 10 vite u larguan 1, 1 milionë shqiptar dhe për këtë ne sot jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë. Edi Rama është një armik i egër i qënies shqiptare që komploton ditë e natë me Beogradin kundër Kosovës.

Le te na frymëzojnë festat e kësaj dite për të çliruar sa më shpejtë Shqipërinë nga regjimit i Pashiqit të Tiranës. Së fundmi të dashur miq ju urojmë mbarë shqiptarëve gëzuar ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Nderim për jetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të pavarësisë. Nderim për jetë të rënëve të kombit tonë. Gëzuar”, shkruan Berisha.

Të Fundit