Shqipëria po rigjen lidhjen me traditat e saj kulinare, ndërsa gjyshet e vendit po luajnë një rol kyç në mësimin e recetave tradicionale për brezat e rinj. Sipas një artikulli të BBC Travel, vendi ka kaluar dy periudha të ashpra “amnezie kulinare” gjatë 80 viteve të fundit.
Gjatë periudhës komuniste, nga viti 1946 deri në 1991, Shqipëria u izolua thuajse plotësisht nga bota. Librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit ishin të kufizuara, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.
Më pas, pas rënies së komunizmit, midis viteve 1989 dhe 2001, mbi 700 mijë shqiptarë – rreth 20% e popullsisë emigruan në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej tyre humbën kontaktin me recetat e traditës, duke u përshtatur me kulturat e vendeve të reja.
Sot, përveç grave të moshuara që kanë ruajtur gatimet e vjetra, shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit po rikthehen te kuzhina tradicionale, duke rikrijuar shijen autentike të vendlindjes.



