Banorët e fshatrave të njësisë administrative Çlirim të bashkisë Kolonjë kanë protestuar ditën e sotme në hyrje të urës së fshatit Qafëzez.
Shkak i kësaj proteste është bërë dalja jashtë funksionit e urës që lidh fshatrat e kësaj njësie me aksin nacional Ersekë – Korçë.
Banorët shprehen se degradimi i urës ka ardhur ndër vite ndërsa shirat e fundit e kanë nxjerrë totalisht jashtë funksionit.
“Ura është bastarduar. Ka katër vjet që nuk është vënë dorë. I kemi lajmëruar. Nuk e bënë dhe tani jemi në hall të madh, 12 fshatra. Janë 12 fshatra të izoluar. Të gjitha urat janë prishur”, shprehet një banor.
I kontaktuar, nënprefekti i Kolonjës Adriatik Brace tha se është bërë gati nga ana inxhinierike një projekt që sjell zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Deri në këtë zgjidhje, sipas nënprefektit, nuk përjashtohet mundësia e një ure bel nga ana e forcave të armatosura.
Nëpërmjet Urës së Qafëzezit komunikojnë 12 fshatra me njësinë qendër.




