Dyshohet se do kryenin sulm, dy terroristët në Fushë Arrëz, kyçin gojën: Gjykohemi nga Zoti

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me aktivitetin e dyshimtë të Erzen (Hamza) Ukës dhe shokut të tij, Julian (Adem) Cumraku, të cilët u arrestuan në një prej kullave të pabanuara të fshatit Orosh ne Fushë Arrës, pas më shumë se 12 orësh rezistencë ndaj Policisë së Shtetit.

Dy të shoqëruarit mendohet se jetonin në kullën e fshatit të thellë malor prej rreth një muaji. Nga hetimet e Policisë rezulton se këta dy persona janë mbështetur edhe nga një i tretë, i cili ka udhëtuar shpesh nga Tirana në drejtim të Fushë-Arrëzit dhe Oroshit.

Një person me flokë të gjata është parë edhe në lokalet e qytetit të Fushë-Arrëzit me Ukën dhe Cumrakun. Të tre, gjatë qëndrimeve të shkurtra në lokale, mbanin kokën të ulur. Personi i tretë, i cili disponon edhe automjet, nuk ka frekuentuar dyqanet e Fushë-Arrëzit. Herën e fundit, kur është parë, gjatë mbrëmjes se 18 nëntorit, Uka dhe Cumraku kanë bërë blerje, ndërsa ai ka qëndruar në këmbë në një zonë me pak ndriçim në qendër të qytetit ish-industrial.

Flokët e gjata duket se kanë qenë shkak që ky i fundit të jetë ngatërruar me prezencen e dy grave në kullë. Personi me flokë të gjata të lidhura dhe pantallona kamuflazhi është parë herë pas here, madje edhe duke bërë dru, me Ukën dhe Cumrakun.

Dy të shoqëruarit, në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, në pritje të masës së sigurisë, deri tani nuk kanë folur para oficerëve gjyqësorë dhe atyre të antiterrorit që po merren me hetimin, duke i cilësuar “shejtan”, ndërsa kanë pohuar se mund të japin llogari dhe të gjykohen vetëm nga Zoti.

Ndërkohë, këto janë pamjet e xhamisë së fshatit Kryezi, një xhami pa shërbesa fetare që frekuentohet kryesisht gjatë festës së Bajramit dhe qëndron e hapur pa çelës. Xhamia është frekuentuar kryesisht për namazin e së premtes nga Cumraku dhe Uka. Xhamia mësohet se është jashtë kontrollit të Myftinisë së Pukës dhe nuk rezulton as si pronë në inventarët e këtij institucioni.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia e Pukës bëjnë të ditur se kanë vendosur të mos reagojnë ndaj situatës, duke iu përmbajtur qëndrimeve të mëparshme ndaj rasteve të tilla.

Të Fundit