Eurodeputeti Ferdi Beleri ka folur në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, teksa tha se nuk beson se vendi ynë do të jetë pjesë e BE në vitin 2030.
Beleri tha se do të kontribuoje për integrimin e Shqipërisë në BE.
Po ashtu ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk varet vetëm nga reformat e vendit tonë, por edhe se nuk është e sigurt që Bashkimi Europian kërkon zgjerimin.
“Unë do kontribuoj aq sa mundem që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. A do jetë pjesë Shqipëria e familjes europiane në vitin 2030? Nuk mund ta them me siguri. Unë besoj se nuk do të jetë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me reformat në Shqipëri që nuk po kryhen, por ka të bëjë edhe me vetë BE-në.
Nuk është e sigurt që BE-ja kërkon zgjerimin e saj. Nuk duhet të hiqni kurrë nga mendja që mund të mos ketë zgjerim deri në 2030. Serbia i ka hapur dhe mbyllur kapitujt shumë para nesh dhe nuk do futet.
Shqipëria është Europë nga ana kulturore dhe gjeografike, ndërsa politika duhet të marrë përgjegjësitë e veta pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian”, tha Beleri në A2.
Sa i përket ligjit të luftës me Greqinë, Beleri u shpreh: “Për shtetin shqiptar, ligji i luftës nuk ekziston. Qeveria shqiptare e bën shpesh kërkesën për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, për mua është absurde që ekziston ende ky ligj lufte. “De facto” nuk ekziston ky ligj sepse kemi marrëdhënie me Greqinë, “de jure” ekziston dhe besoj se në të dyja marrëveshjet që u prishën ishte gati zgjidhja. Edhe tani besoj që është në paketë heqja e ligjit të luftës”.



