OKB-ja ka deklaruar se lufta në Gaza ka shkatërruar ekonominë e enklavës palestineze. Më tej OKB ka bërë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare të menjëhershme dhe substanciale.
Sipas një raporti të ri nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim UNCTAD, rindërtimi i Rripit të Gazës do të kushtojë më shumë se 70 miliardë dollarë dhe do të zgjasë disa dekada.
Raporti thotë se operacionet ushtarake kanë dëmtuar ndjeshëm çdo shtyllë të mbijetesës që nga qasja në ushqim dhe strehim deri te funksionimi i shërbimeve shëndetësore. Raporti thekson se Gaza është zhytur në një humnerë të krijuar nga njeriu.
“Edhe në skenarin më optimist, me norma rritjeje dyshifrore të mbështetura nga nivele të larta të ndihmës së huaj, do të duhen disa dekada që Gaza të kthehet në nivelet e prosperitetit që gëzonte para tetorit 2023”, thekson UNCTAD.
Organizata bën thirrje për një plan gjithëpërfshirës rimëkëmbjeje që duhet të kombinojë ndihmë të koordinuar ndërkombëtare, rivendosjen e transfertave fiskale dhe masa për të hequr kufizimet në tregti, lëvizje dhe investime.



