Lirohet nga qelia ish e dashura e Safet Bajrit

Është liruar nga qelia ish e dashura e Safet Bajrit, Eria Ago. Gjykata e Posaçme e Apelit zbuti masën e sigurisë ndaj saj nga “arrest në burg” në “arrest ne shtëpi”.

Eria Ago që prej muajsh mbahej në paraburgim në IVEP Pojskë, dyshohej se ndihmoi Bajrin në vrasjen e Fatbardh Licit.

Eria Ago u arrestua në muajin mars të këtij viti dhe mbahej në paraburgim në IVEP Pojskë pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se drejtoi një nga automjetet që u përdor për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e shënuar në gusht të vitit 2018 në lagjen Kiras të Shkodrës.

Pavarësisht se 31-vjeçarja i ka mohuar akuzat e prokurorisë për përfshirjen e saj në këtë ngjarje, pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh nga gjykata.

Për ekzekutimin e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.

Të Fundit