Ndertimi pa leje ne mes te Sarandes zhduk plazhin publik, IMT mbyll syte!

Në qendër të qytetit të Sarandës, përballë hotelit historik “Butrinti”, në zonën e ish-plazhit publik, del në pah një rast i rëndë i përvetësimit të pronës publike përmes dokumenteve të falsifikuara.Sipas denoncimit të ardhur në redaksinë e emisionit “Stop”, kjo pronë është marrë nëpërmjet falsifikimit të Planit Urbanistik të vitit 2000 të Bashkisë Sarandë. “Stop” ka siguruar planin origjinal, ku zona figuron qartë si plazh publik i Hotel Butrintit, pra tokë-shtet. Ndërkohë, në Zyrën e Urbanistikës dhe në Kadastrën Sarandë, qarkullon një plan i falsifikuar, që e paraqet zonën si pronë private, truall, madje pasqyron aty edhe një ndërtesë njëkatëshe. Ka dyshime të forta, se ky plan i falsifikuar është futur në Bashki rreth vitit 2020, dhe më pas është futur edhe në sistemet e Kadastrës për të zëvendësuar planin real.Në vitin 2025, në Prokurorinë e Sarandës u depozitua një kallzim penal për një ndërtim pa leje, pikërisht në këtë pronë të përvetësuar me dokumente të rreme. Në terren rezulton një soletë betoni, rreth 2 metra e gjerë dhe 6–7 metra e gjatë, ndërtuar në mes të qytetit. Edhe pse ndërtimi ishte në sy të të gjithëve, as Policia, as IMT, asnjë institucion nuk ndërhyri.Pavarësisht, se IMT Sarandë e ka të konfirmuar shkeljen, dhe ka një vendim për prishjen e objektit pa leje, ky vendim nuk është zbatuar prej muajsh. Drejtori i IMT-së, Eduard Veliu, u justifikua, duke thënë, se “janë të ngarkuar” dhe se “nuk ka një datë” për zbatimin e vendimit të prishjes.Ndërkohë, sipas informacioneve, në Prokurorinë e Sarandës po përgatitet pushimi i çështjes. Elementi, që po përdoret si justifikim, është një akt-ekspertimi i bërë nga dy ekspertë privatë, të cilët e kanë cilësuar soletën prej betoni, si “mbulim për depozita uji”.

Të Fundit