Këshilltarët socialistë kërkesë SPAK: Kërkojmë të vijë Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të premten

Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës i kanë dërguar shkresë zyrtare institucioneve përgjegjëse, ku kërkohet mundësimi i pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak këtë të premte, më 21 nëntor 2025, në orën 10:00.

Kërkesa, e cila i drejtohet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, argumenton se pjesëmarrja e kryebashkiakut është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, në bazë të Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.

Kërkesa e Këshillit Bashkiak drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e  cila do të zhvillohet ditën e premte më datë 21/11/2025, ora 10:00 në ambientet e Bashkisë Tiranë.

Sipas Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, konkretisht:

Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.

Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje të interesit publik.

Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:

– lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,

ose, nëse kjo nuk është e mundur,

– mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).

Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.

Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.

Kërkesa për kryebashkiakun Erion Veliaj e firmosur nga 22 anëtarë të Këshillit Bashkiak:

I nderuar zoti Kryetar,

Në kuadër të përgatitjes së Projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026 dhe respekt të parashikimeve të Ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ju kërkojmë të na vendosni në dispozicion objektivat dhe prioritetet tuaja buxhetore për vitin e ardhshëm.

Neni 41 i Ligjit nr. 68/2017 parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”. Pra përgatitja e projektbuxhetit është një proces që realizohet dhe propozohet në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Duke marrë parasysh edhe kushtet e pazakonta të ushtrimit të detyrës suaj, për shkak të ndodhurit në paraburgimin e Durrësit, si dhe nevojën për një komunikim institucional të rregullt, ju lutemi që përmes administratës së bashkisë të na përcillni:

Objektivat tuaj strategjikë të zhvillimit për vitin 2026 dhe prioritetet e investimeve kapitale, duke specifikuar projektet e reja të Bashkisë Tiranë, si dhe ato në vijim.

Informacioni është i domosdoshëm për të garantuar respektimin e parashikimeve ligjore dhe për të mundësuar shqyrtimin dhe miratimin në kohë të projektbuxhetit nga Këshilli Bashkiak.

Me respekt,

Këshilltarët e Këshillit Bashkiak Tiranë

Të Fundit