Vrau 2 persona pas debatit për makinat, kërkohen 25 vjet burg për ish-policin

Prokuroria Tiranë ka kërkuar 25 vite burg për ish-policin Tomor Çela i cili në vitin 1997 vrau dy shtetas pas një debati për përplasjen e makinave

Tomor Çela u deportua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 3 vjet më parë. Ish-polici Çela vrau në vitin 1997 Elton Danin e Ledian Hoxhën.

“Nga hetimet mbi procedimin penal të vitit 1997, rezultoi se i pandehuri Tomor Çela., ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997. Gjatë kohës që ka qenë në detyrë ai ka qenë i pajisur me armën automatik model Kallashnikov të cilin nuk e ka dorëzuar por e ka mbajtur në banesë pa leje të organeve kompetente.

Ky shtetas, më datë 27.11.1997 rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga B.Curri ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave shtetasve L. H. e E.D. duke ju shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveture Volvo. Pas kryerjes së vrasjes i pandehuri Tomor Çela. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve E. D. dhe L.H. Nga sa doli gjatë gjykimit, rezulton se i pandehuriTomor Çela tre katër ditë përpara ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip Benz Mercedes 240 është përplasur me autoveturën ku udhëtonin shtetasit L.H. dhe E. D., ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet. Pas aksidentit i pandehuri është konfliktuar me shtetasit E. D. dhe L. H. dhe më pas duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara kanë lindur kontradikta të cilat kanë çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve L. H. dhe E. D”, sqaron prokuroria.

 

Të Fundit