Presidenti Donald Trump tha të hënën se planifikon të miratojë shitjen e avionëve luftarakë F-35 të prodhuar nga SHBA-ja për Arabinë Saudite, duke folur një ditë para se të presë Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.
“Do ta bëjmë këtë,” u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Ne do u shesim F-35.”
Një shitje do shënonte një ndryshim të rëndësishëm politik, duke ndryshuar potencialisht ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme dhe duke vënë në provë përkufizimin e Uashingtonit për ruajtjen e “epërsisë ushtarake cilësore” të Izraelit.
Arabia Saudite ka kërkuar të blejë deri në 48 avionë luftarakë F-35, një marrëveshje e mundshme shumë miliardë dollarëshe që ka kaluar një pengesë kyçe të Pentagonit përpara vizitës së bin Salman, raportoi Reuters në fillim të këtij muaji.
Sauditët kanë qenë prej kohësh të interesuar për avionin luftarak të Lockheed Martin. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters-it përpara se të fliste Trump se presidenti donte të fliste me princin e kurorës për avionët, “pastaj do marrim një vendim.”
Arabia Saudite, blerësi më i madh i armëve amerikane, ka kërkuar avionin luftarak për vite me radhë ndërsa kërkon të modernizojë forcat e saj ajrore dhe të përballet me kërcënimet rajonale, veçanërisht nga Irani. Nxitja e përtërirë e mbretërisë për atë që do përbënte dy skuadrone vjen pasi administrata Trump ka sinjalizuar hapje për thellimin e bashkëpunimit të mbrojtjes me Riadit. Forca Ajrore Saudite përdor një përzierje avionësh luftarakë, duke përfshirë, F-15, Tornado dhe Typhoon.
Arabia Saudite bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për të blerë avionët në fillim të këtij viti te Trump.
Departamenti i politikave të Pentagonit punoi për transaksionin e mundshëm për muaj të tërë, u kishin thënë më parë Reuters-it zyrtarë amerikanë të cilët folën në kushte anonimiteti.
Uashingtoni peshon shitjet e armëve në Lindjen e Mesme në një mënyrë që siguron që Izraeli të ruajë një “epërsi ushtarake cilësore”. Kjo garanton që Izraeli merr armë më të avancuara amerikane se shtetet arabe rajonale.
F-35, i ndërtuar me teknologji ‘stealth’ (të padukshme) që i lejon të shmangë zbulimin nga armiku, konsiderohet avioni luftarak më i përparuar në botë. Izraeli e ka përdorur avionin për gati një dekadë, duke ndërtuar skuadrone të shumta, dhe mbetet i vetmi vend i Lindjes së Mesme që posedon sistemin e armëve, shkruan Reuters.
Çështja e F-35 është ndërthurur edhe me përpjekjet më të gjera diplomatike. Administrata Biden më parë eksploroi ofrimin e F-35 Arabisë Saudite si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të kishte përfshirë normalizimin e marrëdhënieve të Riadit me Izraelin, megjithëse këto përpjekje përfundimisht ngecën.
Shqyrtimi i Kongresit mund të paraqesë sfida për çdo shitje të F-35. Ligjvënësit më parë vunë në dyshim marrëveshjet e armëve me Riadit pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në 2018, dhe disa anëtarë të Kongresit mbeten të kujdesshëm ndaj thellimit të bashkëpunimit ushtarak me mbretërinë.



