Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ilir Proda raportoi të hënën në komisionin për çështjet e brendshme dhe të mbrojtjes, ku u pyet lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur 5 ditë më parë në Rinas.
Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu e akuzoi kreun e policisë se ka kthyer policinë në “vegël të krimit dhe mburojë të bandave”, duke iu referuar implikimit të një polici në ngjarjen e rëndë të Rinasit, ku u vranë 2 persona, por edhe në ngjarje të tjera kriminale.
“Në aeroport nuk gjendej polic as me satelitin 1 dhe 2”, tha Balliu, sipas të cilit mënyra si autorët vranë, u larguan, dogjën makinën dhe zhdukën gjurmët brenda 1 ore e 30 minutash tregon degradim të plotë të rendit publik.
Proda, në përgjigje të Balliut, u shpreh se përgjegjësia penale është individuale dhe se nuk mund të përbaltet puna e policisë për 1 apo disa individë të inkriminuar.
Lidhur me atentatit e rëndë në Rinas, Proda tha se ngjarja ka nevojë për analizë dhe hetimet lidhur me të janë në vijim.
“Policia e shtetit është një organizatë që i ka dhënë 227 dëshmorë atdheut. Mos përbaltni policinë e shtetit, përgjegjësia penale është individuale dhe cilido punonjës që ka rezultuar i përfshirë në këto ngjarje… Përfshirja e disa individëve nga polica e shtetit nuk bëjnë pis një organizatë që i ka dhënë atdheut 227 dëshmorë… Ngjarja e Rinasit ka vend për ta analizuar dhe jemi në proces e sipër, çështja është nën hetim nuk mund të them më shumë se kaq”, tha Proda.



