Vrau të birin me thikën e bukës, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq 74-vjeçarin

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim shtetasin Hekuran Gjoni, 74 vjeç i cili vrau të birin me thikën e bukës pas një konflikti banal.

“Në përfundim të hetimeve rezultoi se më 01.02.2025, shtetasi Hekuran Gjoni, për motive banale ka debatuar dhe është konfliktuar me djalin e tij Asim Gjoni dhe në konflikt e sipër e ka qëlluar me mjet prerës dhe si pasojë e plagës së marrë në ijën e majtë, ka gjetur vdekjen.

I pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet shtetasi Hekuran Gjoni shpjegoi se atë ditë kur është ulur për të ngrënë bukë djali u ul po ashtu dhe nisi ta ngacmonte me fjalë. Ai është ndjerë keq dhe në një moment është acaruar dhe e ka qëlluar me shpullë në fytyrë. Më pas sipas tij, djali Asim Gjoni, e kapi nga rrobat, dhe i ka thënë mos i gjuaj. Në këtë moment, ka ndërhyrë vajza e cila i ka thënë pse sillesh me babain kështu, dhe djali i ka dhënë asaj një të shtyrë të fortë, duke rrëzuar përtokë. Në këtë moment ai është acaruar shumë, ka kapur thikën e bukës që ishte në tavolinë dhe e ka goditur djalin e tij një herë në bark (ije).

Nga hetimi rezultoi se në trupin e kufomës nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme u konstatua një plagë prerëse shpuese depërtuese në anën e majtë të gjoksit, shoqëruar me çarje të mushkërisë së majtë, cipës mbështjellëse së zemrës në anën e majtë të majës së saj si dhe plagë prerëse në gishtat e të të dyja duarve. Shkaku i vdekjes së shtetasit Asim Gjoni është shoku i rëndë traumatik hemoragjik”, bën me dije Prokuroria.

Të Fundit