Sot ndeshja Shqipëri–Angli, Tirana nën masa të rrepta sigurie

Tirana pritet të jetë sot në qendër të vëmendjes, teksa në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohet përballja vendimtare mes Shqipërisë dhe Anglisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Ndeshja nis në orën 18:00, ndërsa pritshmëritë janë të larta si në aspektin sportiv, ashtu edhe në organizimin e një ngjarjeje të rëndësishme për vendin.

Federata Shqiptare e Futbollit konfirmoi pak ditë më parë se çdo biletë për këtë sfidë është shitur (lexo këtu). Procesi i shitjes, i kryer përmes aplikimit të hapur që prej 15 tetorit, u përmbyll me përzgjedhjen elektronike të tifozëve fitues. FSHF falënderoi të gjithë sportdashësit që do të jenë sot në stadium dhe u bëri apel atyre që nuk kanë arritur të sigurojnë bileta të vazhdojnë ta mbështesin ekipin kombëtar me të njëjtin pasion dhe krenari.

Në tribunat e “Air Albania” pritet një atmosferë e jashtëzakonshme, me tifozë të ardhur nga çdo qytet i Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora.

Masa të rrepta sigurie në kryeqytet

Policia e Shtetit ka zbatuar një plan të detajuar sigurie për garantimin e rendit para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ekipi anglez është shoqëruar që prej mbërritjes në aeroportin e Rinasit deri në hotel dhe më pas drejt stadiumit.

Në hyrjet e “Air Albania” do të kryhen kontrolle të imtësishme. Në stadium nuk lejohen fishekzjarrë, flakadanë, mjete piroteknike, sende të forta, çadra, monedha metalike, çakmakë, produkte kozmetike dhe banderola me përmbajtje raciste. Portat hapen në orën 15:00 dhe policia apelon tifozët të paraqiten herët për të shmangur radhët.

Ndërkohë, nga ora 14:00 deri në përfundim të ndeshjes, disa rrugë pranë stadiumit do të jenë të bllokuara, përfshirë: Papa Gjon Pali II, Dervish Hima, Asim Zeneli, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Mustafa Matohiti, Jul Variboba, Lekë Dukagjini, Avdyl Frashëri, Skerdilajd Llagami dhe Faik Konica.

Policia paralajmëron edhe masa penale për çdo shkelje të rregullave: nga gjoba për hyrje të paautorizuar në fushë, deri te dënime me burg për hedhje sendesh të forta apo dhunë ndaj sportistëve apo zyrtarëve të ndeshjes.

“Hyrja në fushë nga persona të paautorizuar dënohet me gjobë 50 mijë deri në 100 mijë lekë ose deri në 3 muaj burg, nëse pengohet zhvillimi i ndeshjes. Hedhja e sendeve të forta, fishekzjarreve apo flakadanëve dënohet me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet. Dhuna ndaj sportistëve, trajnerëve apo arbitrave dënohet me 1 deri në 3 vjet burg dhe deri në 5 vjet nëse përsëritet apo kryhet nga persona të klubeve.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në menaxhimin e këtij aktiviteti janë angazhuar qindra efektivë policie në bashkëpunim me FSHF-në, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, zjarrfikësen dhe shërbimet shëndetësore.

Një mbrëmje që tejkalon futbollin

Kombëtarja shqiptare vjen në këtë sfidë pas një serie pozitive përballjesh, me moral të lartë dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët. Përballë qëndron Anglia, kryesuese e grupit me 21 pikë, por atmosfera në “Air Albania” pritet të shndërrojë ndeshjen në një duel emocional, ku emocionet e sotme kanë më shumë peshë se statistikat e së kaluarës.

Pavarësisht statistikave që favorizojnë Anglinë, sot fokusi është te motivimi dhe energjia e skuadrës dhe tifozëve. Kjo sfidë është e fundit për kuqezinjtë në fazën kualifikuese, duke e bërë rëndësinë e saj edhe më të madhe.

Të Fundit