Kreu i PD, Sali Berisha, ka vijuar të artikulojë edhe këtë të shtunë idenë e protestave të opozitës për të rrëzuar qeverinë, pasi ai i quan zgjedhjet e 11 majit si farsë elektorale.
Sali Berisha deklaroi se narko-regjimet mund të rrëzohen vetëm si në Nepal.
“Të ngrihemi në protesta dhe vetëm protesta, ndryshe farsa e ardhshme elektorale nuk do të jetë më 52% Rama, por 62 ose 68%. Nuk kemi rrugë tjetër përveçse të ngrihemi e të përballemi me këtë qeveri deri në votën e lirë. Protestat e qëndrueshme dhe masive janë e vetmja rrugë, të cilat do të arkivojnë këtë qeveri. Por ato i ndërmarrin idealistë që janë të bindur se janë të thirrur në një mision historik, siç ishin të thirrur studentët në vitin ’90, për të përmbysur diktaturën komuniste, sot shqiptarët janë të thirrur në një mision historik për të përmbysur diktaturën që bazohet në shtypjen e pluralizimit, drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, tha ai.
Ai shtoi se qeveria organizoi një farsë më 11 maj, farsë që sipas tij u u konfirmua në 45 faqet e raportit të ODIHR.
“Raport që, për të gjithë ata që kanë pasur durim ta lexojnë, konstaton se janë paraqitur zhvillimet më të këqija të mundshme në një proces zgjedhor të kontrolluar nga qeveria. Ka vetëm një përgjigje, të ngrihemi në protesta. Nëse bindemi për realitetin që është, nuk kemi rrugë tjetër veçse të ngrihemi me të gjithë guximin, të gjithë ata që duan votë të lirë, dhe të përballemi me këtë qeveri derisa t’u kthejmë votën e lirë qytetarëve,” tha Berisha.
Berisha foli edhe për protestën e ditës së hënë, të orës 17:00, ku dha detaje të reja.
“Protesta e ditës së hënë ka këtë karakter që ne hapim aty një foltore, një parlament.
Një herë në javë, deputetët dhe qytetarët do të thonë zërin e tyre. Protesta të tjera po përgatiten dhe do të mbahen në kohë të përshtatshme”, tha ai.



