Policia ka arrestuar 2 shtetas (kushërinj me njëri-tjetrin) të cilët furnizonin me kokainë, shtetas dhe grupe, për ta ndarë në doza dhe shitur në 2 zona të kryeqytetit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Hallka e parë” u vunë në pranga shtetasit Saimir Nela, 34 vjeç dhe Armand Nela, 31 vjeç.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për 2 shtetas që transportonin lënde narkotike Kokainë, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Hallka e parë”. Në kuadër të operacionit, është konstatuar në lëvizje automjeti me të cilin dyshohej se transportohej lënda narkotike. Automjeti, me të cilin lëviznin shtetasit Armand Nela dhe Saimir Nela është ndjekur nga shërbimet e Policisë, deri në vendin e quajtur “Treshi”, ku është ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në këtë automjet u gjetën 2 pako me 2 kg e 235 g lëndë të dyshuar narkotike Kokainë dhe 1 pistoletë e dyshuar lodër.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 2 shtetasit furnizonin me Kokainë, shtetas dhe grupe, të cilat e ndanin lëndën në doza, me qëllim shitjen në zonat “Alliasi” dhe “Oxhaku””, bëri me dije policia.




