Një 53-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë. Arrestimi i tij ka ardhur pasi u kap duke i shitur doza kanabisi një të mituri.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij, policia gjeti sasi kanabis të ndarë në doza gati për shitje. Policia thekson se i arrestuari e kishte të shtrirë aktivitetin e tij pranë shkollave. Lidhur me këtë operacion u procedua edhe 15-vjeçari i cili bleu drogë nga 53-vjeçari.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, afër shkollave. U kap në flagrancë duke i shitur doza kanabisi një shtetasi të mitur, vihet në pranga 53-vjeçari. Vihet në hetim shtetasi i mitur. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 celular.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se 1 shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle të mesme, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Perimetri”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në afërsi të shkollës, në rrugën “Ymer Kurti”, shtetasin B. Ç., duke i shitur doza kanabisi, një 15-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik ndaj 53-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi B. Ç., 53 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetas i mitur u vu në hetim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.



