Invalidja me probleme mendore nuk merr pension sepse kujdestari është “shumë plak”, skandali!

Dodi Troqi, invalide me probleme të shëndetit mendor, prej disa muajsh nuk ka marrë pensionin e invaliditetit. Vëllai i saj nga nëna, Hasan Kekaj, i cili kujdeset për të, shprehet, se pensioni është bllokuar, pasi prokura e përgatitur për tërheqjen e shumës, rezultoi e gabuar. Në komunikim me gazetaren, Dodi dha përgjigje, që nuk përputheshin me realitetin. Në postën nr. 22, ku kalon pensioni i saj, punonjësit sqaruan, se pagesa është bllokuar nga Sigurimet Shoqërore për shkak të mungesës së një dokumenti të vlefshëm, që autorizon tërheqjen. Sipas tyre, në aktin e kujdestarisë, të paraqitur nga Hasan Kekaj, nuk është përcaktuar qartë e drejta për tërheqje pensioni.Në KEMP-in rajonal, mjeku i komisionit Fatos Avdia shpjegon, se kujdestari social caktohet në momentin e vlerësimit mjekësor, por kujdestarin ligjor e përcakton vetëm gjykata. Sipas tij, personat me probleme të shëndetit mendor janë zakonisht të paaftë për të vepruar juridikisht.Procesi gjyqësor për caktimin e Hasanit si kujdestar ligjor është rrëzuar, pasi ai është 78 vjeç dhe nuk plotëson kriterin e moshës. Si pasojë, që nga korriku 2025, pensioni i Dodit ka mbetur i pamarrë.Eksperti noterial Fatmir Laçej thekson, se noteri mund të shkojë në banesën e invalidit për të nënshkruar prokurën, por vetëm nëse personi ka aftësinë të kuptojë veprimin ligjor që kryen. Në rastet e kundërta, nënshkrimi nuk mund të konsiderohet i vlefshëm, ndërsa procedurat për kujdestari ligjore zgjasin shumë.Nga ana e saj, Njësia Administrative nr. 4 ka ndërhyrë për të ofruar strehim në një rezidencë sociale, por Dodi Troqi ka refuzuar të largohet nga banesa ku jeton aktualisht.

Të Fundit