Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, pasi dyshohet se kanë marrë peng dhe kanë dhunuar fizikisht një 27-vjeçar, me qëllim që t’i merrnin 5000 euro.
Nga hetimet paraprake rezulton se autorët i kanë hequr lirinë për disa orë të riut, duke e mbajtur në një apartament dhe duke ushtruar dhunë ndaj tij, për ta detyruar të dorëzonte shumën prej 5000 eurosh.
Si rezultat i operacionit policor, u identifikuan 5 shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes dy prej të cilëve u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre bashkëpunëtorë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. K., 60 vjeç, babai i njërit prej të arrestuarve, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në dhomën ku qëndronte i biri, shtetasi L. K., policia gjeti dhe sekuestroi 5000 euro, që dyshohet të jenë shuma e marrë me dhunë nga 27-vjeçari.
Në total, gjatë operacionit janë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i policisë
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.



