Drejtori i Përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Lajmeve, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen pas kritikave se një dokumentar i BBC Panorama kishte mashtruar shikuesit duke redaktuar një pjesë të fjalimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Tim Davie pas dorëheqjes së tij tha se: “Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të largohem nga BBC pas 20 vitesh. Ky është tërësisht vendimi im, dhe mbetem shumë mirënjohës ndaj Kryetarit dhe Bordit për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe unanime gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë edhe ditët e fundit. Po punoj me Bordin për të përcaktuar afatet e sakta, në mënyrë që të mundësojmë një kalim të rregullt te pasuesi im gjatë muajve të ardhshëm. Kam reflektuar shumë mbi kërkesat e forta personale dhe profesionale që ka mbartur ky rol për shumë vite, veçanërisht në këto kohë të tensionuara, si dhe mbi dëshirën time për t’i lënë pasuesit tim kohën e nevojshme për të ndihmuar në hartimin e planeve të Kartës që do të zbatojë.
Në këto kohë gjithnjë e më të polarizuara, BBC ka një vlerë unike dhe pasqyron më të mirën e shoqërisë sonë. Ajo ndihmon që Mbretëria e Bashkuar të mbetet një vend i veçantë jashtëzakonisht i sjellshëm, tolerant dhe kureshtar. Si çdo institucion publik, BBC nuk është e përsosur dhe duhet të mbetet gjithmonë e hapur, transparente dhe e përgjegjshme. Edhe pse nuk është arsyeja e vetme, debati aktual rreth BBC News ka ndikuar në mënyrë të kuptueshme në vendimin tim. Në përgjithësi, BBC po performon mirë, por janë bërë disa gabime dhe, si Drejtor i Përgjithshëm, unë duhet të mbaj përgjegjësinë përfundimtare.”
Gazeta The Telegraph publikoi detaje nga një memo e brendshme e rrjedhur nga BBC, ku pretendohej se programi kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trumpit, në mënyrë që të dukej sikur ai po nxiste në mënyrë eksplicite trazirat në Capitol Hill në janar 2021.
Memoja e rrjedhur ishte shkruar nga Michael Prescott, një ish-këshilltar i pavarur i jashtëm në komitetin e standardeve editoriale të BBC-së. Ai ishte larguar nga ky rol në qershor.
Prescott kishte ngritur shqetësime për dokumentarin Trump: A Second Chance? (“Trump: Një mundësi e dytë?”), i cili ishte transmetuar vitin e kaluar dhe ishte prodhuar për BBC nga kompania e pavarur e prodhimit October Films Ltd, e cila gjithashtu u kontaktua për koment.
Të dielën, Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, deklaroi se çështja e Panorama-s ishte “shumë serioze” por shtoi se kishte një sërë “akuzash shumë serioze” ndaj transmetuesit publik, “më e rëndësishmja prej të cilave është se ekziston njëanshmëri sistemike në mënyrën se si BBC raporton për çështje të vështira.”




