Komisioni Evropian, i pyetur për miratimin e ligjit për barazinë gjinore, ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Komisioni Evropian tha për media se e mirëpresin dhe mbështesin miratimin e këtij ligji.
“Përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë.
Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE.
Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”.
Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore.
Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.
Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj.
Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratën e Komisionit Evropian.



