Mashtronte në rrjete sociale me kremra “shëruese”/ Pas investigimit të STOP-it, procedon 30-vjeçaren nga Berati

Policia e Beratit ka proceduar penalisht një 30-vjeçare që prodhonte dhe tregtonte në mënyrë të paligjshme një krem, për të cilin mashtronte qytetarët në rrjete sociale, duke pretenduar se kishte efekte shëruese ndaj sëmundjeve të lëkurës.

Pas denoncimit të bërë fillimisht nga gazetarët e emisionit “Stop”, rast që ende nuk është transmetuar, specialistët për hetimin e krimeve ekonomiko-financiare organizuan menjëherë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore-procedurale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Beratit, u mundësua identifikimi i mbajtëses së llogarive në Facebook dhe Instagram, nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, shtetases S. D., 30 vjeçe, banuese në fshatin Bilçë, për të cilën nisi procedimi penal, për veprat “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit në banesën që ajo kishte marrë me qira, u sekuestruan sasi të kremit të prodhuar artizanal, si dhe materiale ambalazhuese, kuti e etiketa. Hetimet zbuluan se kremi përgatitej në kundërshtim me rregullat për prodhimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore, ndërsa fitimet nga shitjet, brenda dhe jashtë vendit, fshiheshin për të shmangur tatimet.

Policia e Beratit falënderon gazetarët e emisionit “Stop” për bashkëpunimin dhe u bën thirrje mediave e qytetarëve të denoncojnë çdo rast paligjshmërie që cënon sigurinë e konsumatorit.

Të Fundit