Është vënë në pranga nga policia e Durrësit këtë të mërkurë një 28-vjeçar, pasi ditën e martë në orët e para të mëngjesit dyshohet se theu me sëpatë, dyert e 2 magazinave në lagjen nr. 5, dhe vodhi materiale ndërtimi me vlerë rreth 150 000 lekë.
Sipas raportimeve, 28-vjeçari u kap në flagrancë këtë të mërkurë, gjatë tentativës për të vjedhur sërish me thyerje, njërën prej magazinave ku kishte vjedhur një natë më parë.
“Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale të kryera pas kallëzimeve të 2 shtetasve, se në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025, në magazinat e tyre, në lagjen nr. 5 (në të cilat shiteshin materiale ndërtimi), ishte vjedhur me thyerje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan vënien në pranga të autorit të këtyre rasteve, shtetasin B. R., 28 vjeç, banues në Durrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.




