Kuvendi rrëzoi me 79 vota kundër 10 vota pro dhe 0 abstenim kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit, Niko Peleshi. Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim.
Në seancën e sotme, përfaqësuesi i PD-së, deputeti Ivi Kaso prezantoi raportin për arsyet e shkarkimit të Peleshit nga Kryetar Kuvendi duke e cilësuar kryeparlamentarin të njëanshëm në krye të funksionit të detyrës.
“Niko Peleshi si kryetar Kuvendi ka treguar se ka qenë i njëanshëm në krye të funksionit të detyrës. Në dy seanca 16 dhe 18 shtator, vetëm 4 dhe 6 ditë pasi ishte betuar mbi Kushtetutë, zoti Peleshi ka konsumuar një sërë shkeljesh të rënda, të përsëritura dhe të qëllimshme, që nuk kanë pasur vetëm mbylljen e zërit të opozitës në parlament, por kanë cenuar autoritetin e organit më të lartë në një shtet demokratik. Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshqitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standardeve institucionale”, – tha Kaso.
Peleshi në fjalën e mbajtur pas prezantimit të nismës së PD u shpreh se problemi nuk është ai, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje politike.
“Gjatë kësaj kohe mazhoranca ka folur 291 minuta ndërsa opozita 439 minuta. Fryma antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë. Rregullorja nuk të le të fyesh, të pengosh fjalën e deputetëve apo të vendosësh të mos zbatosh masat disiplinore. Problemi nuk jam unë por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje politike”, – tha Peleshi.




