Trump deklaroi se ndryshimet janë të nevojshme pasi vende të tjera po testojnë armët e tyre. Rusia ka njoftuar disa teste kohët e fundit.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten se Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë testimin e armëve bërthamore për herë të parë pas tre dekadash, duke thënë se kjo do të bëhet në “bazë të barabartë” me Rusinë dhe Kinën.
“Tani është koha ‘e përshtatshme’,” u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Uashingtonit, pak pas një takimi me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në Korenë e Jugut.
Trump e bëri fillimisht njoftimin në rrjetet sociale, përpara takimit me Xi, duke theksuar se “kjo kishte të bënte me të tjerët.”
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam urdhëruar Departamentin e Luftës që të nisë testimin e armëve tona bërthamore në bazë të barabartë,” shkroi ai në një postim në platformën Truth Social.
“Ky proces do të nisë menjëherë.”
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për më shumë detaje, ndërsa zyrtarët e Pentagonit nuk dhanë menjëherë sqarime për njoftimin e Trump mbi testet e raketave bërthamore.
A po rikthehet gara bërthamore?
Njoftimi befasues i Trump vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi këtë javë se Moska ka testuar një dron të ri nënujor me energji atomike dhe me aftësi bërthamore, si dhe një raketë të re lundrimi me fuqi bërthamore.
Putin nuk njoftoi ndonjë test të armëve bërthamore të Rusisë, testet e fundit të të cilave u zhvilluan në vitin 1990.
Gjithashtu, përpara vizitës së liderit amerikan në Korenë e Jugut ndalesa e fundit e turneut të tij aziatik Koreja e Veriut njoftoi testimin e një arme raketore që e përshkroi si “raketë det-tokë”.
Javën e kaluar, udhëheqësi i Phenianit, Kim Jong-un, prezantoi disa nga armët më të reja të ushtrisë së tij, përfshirë një sistem balistik me rreze të shkurtër, i pajisur me mjete rrëshqitëse hipersonike.
Ndërsa Trump nuk përmendi në mënyrë specifike asnjë nga këto teste, përfshirë ato ruse, ai iu referua rezervave bërthamore që kontrollohen nga Xi dhe Putin, duke thënë: “Rusia është e dyta, dhe Kina është shumë pas, por do të na afrohet brenda 5 viteve.”
Në vitin 2023, Putin nënshkroi një ligj që tërhiqte ratifikimin e Rusisë nga ndalimi global i testeve bërthamore, duke deklaruar se kjo ishte e nevojshme për ta vendosur Rusinë në të njëjtin nivel me SHBA-në.
Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore, i nënshkruar nga presidenti amerikan Bill Clinton, por kurrë i ratifikuar nga Senati, u miratua në vitin 1996 dhe ndalon të gjitha shpërthimet bërthamore në mbarë botën.
Rusia, në vitin 2023, deklaroi se do të rifillojë testet e saj bërthamore vetëm nëse Uashingtoni e bën i pari.




