Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet, ku një person ka humbur jetën pas një sherri i cili ka degraduar në përdorimin thikës.
Sipas burimeve, viktima është Indrit Ismaillari, rreth 41 vjeç, i cili punonte si kuzhinier në lokalin “City Lounge”.
Ai është goditur me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, rreth 34 vjeç, i cili ushtronte detyrën e picierit në të njëjtin biznes.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy punonjësve. Sipas burimeve, autori i dyshuar është shprehur se është ndier i bullizuar dhe i fyer vazhdimisht nga viktima.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të kolegëve dhe dërgimit të të plagosurit në spital, Indrit Ismaillari, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkohë, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, Filip Shehu, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave materiale.
NJOFTIMI
Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit.
Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, menjëherë pas ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.



