Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, ka bërë të ditur se vijon me inspektimet në subjekte që tregtojnë Produkte me Burim Bimor (PMB).
AKU njofton se gjatë inspektimeve në qarqet Lezhë dhe Fier 2 subjekte janë ndëshkuar me masën administrative gjobë ndërsa dy të tjera me “paralajmërim”.
Subjektit të parë i ështe vendosur gjoba për shkak të ushtrimit të aktivitetit pa licencë ndërsa subjektit tjetër pasi kryente aktivitetin e riambalazhimit të PMB-ve në shkelje të kërkesave ligjore.
Për këtë rast është marrë gjithashtu masa e bllokimit të aktivitetit, e cila do të pasohet me propozim për revokim të licencës së subjektit.
Në njoftimi ne AKU thuhet se 4 subjekte të tjera që janë kontrolluar janë konstatuar që operonin në përputhje me kërkesat ligjore.
AKU thekson se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë vendin, duke garantuar konsumatorët dhe bizneset ushqimore se institucioni është i angazhuar të zbatojë ligjin dhe të sigurojë standarde të larta të sigurisë ushqimore.




