Zv. Kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi këtë të martë drejtuesin e ri të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, i cili zëvendëson drejtorin aktual, Kreshnik Bajraktari.
Balluku tha se Aliun e ka njohur kur ai ka qenë ministër në Kosovë ndërsa shtoi se ai ka një karrierë të gjatë në ekzekutiv dhe cilësoi si një koleg të mirë,
“Liburni, Kosovën dhe Shqipërinë i ka parë gjithmonë si treg të përbashkët zhvillimi. Edi Rama ka punuar historikisht për Shqipërinë dhe Kosovën me të njëjtin pasion dhe dëshirë, për t’i parë shqiptarët sa më lart. Nuk është hera e parë që qytetarët e Kosovës përfshihen në ekzekutivin tonë, por Aliu, unë them, është më i spikaturi për ndërtimin e Shqipërisë. Kryeministri ma ka aprovuar propozimin tim, sepse Porti i Durrësit është porti i shqiptarëve,” theksoi ministrja.
Liburn Aliu ka qenë ministër për Planifikimin Hapsinor dhe Infrastrukturën në qeverinë e “Kurti 2” ndërsa dha dorëheqje më 27 gusht të këtij viti nga posti i ministrit, vetëm një ditë pasi Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit.




