Ndërtesat e vjetra do rinovohen, Qeveria pritet të miratojë Planin Kombëtar

Të gjitha ndërtesat në vendin tonë do të rinovohen. Qeveria pritet të miratojë Planin Kombëtar që synon të mobilizojë investime të thella në stokun ekzistues rezidencial, publik dhe të shërbimeve.

Plani i miratuar synon ndërhyrje që përmirësojnë ndjeshëm performancën energjetike të ndërtesave.

Objektivi kryesor është transformimi i stokut ekzistues të ndërtesave në ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050, duke kontribuar në Marrëveshjen e Parisit. Një fokus i veçantë i kushtohet reduktimit të varfërisë energjetike për familjet.

Argumentimi i projekt-vendimit thekson disa përparësi të pritshme. Ndërhyrjet e thella në izolimin termik dhe sistemet e ngrohje/ftohjes pritet të sjellin ulje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike dhe termike, duke ulur kostot për familjet dhe institucionet.

Zbatimi i këtyre masave do të kërkojë fuqi punëtore në ndërtim dhe sektorë mbështetës, duke nxitur zhvillimin ekonomik.

Relacioni evidenton se sfida kryesore mbetet sigurimi i burimeve financiare për zbatimin e gjerë të projekteve, veçanërisht për shtresat në nevojë. Për ta do të financohen paketa ndihmëse financiare, ndërkohë që rinovimet për institucionet qendrore do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Të Fundit