Kryeministri Edi Rama ironizoi përzgjedhjen e opozitës për kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, duke e cilësuar Flori Binaj një aktor humori gjoja i pavarur që ka bërë humor edhe në Kongresin e PS duke imituar atë vetë.
Në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama vlerësoi punën e Manastirliut në drejtimin e QSUT dhe të deputetes Brunilda Mersini në spitalin rajonal të Vlorës dhe tha se të dyja janë fituese të garës, ndërsa kundërshtarët e tyre i ironizoi duke thënë se janë shëmbëlltyre e radhës e disfatës së Partisë Demokratike.
“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama.



