Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se “asnjë ekuacion politik apo sigurie, nga Siria në Gaza dhe nga Gjiri Persik në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e Turqisë”.
Duke folur në sesionin e fundit të takimit “Takimet e Shekullit të Turqisë” në Stamboll, Erdogan theksoi se Turqia është bërë “e respektuar si në rajon ashtu edhe në nivel global si një vend që eksporton paqe dhe stabilitet” , raporton Agjencia Anadolu.
Ai tha se qëllimi afatgjatë i Turqisë është të sigurojë unitetin dhe sigurinë e kombit duke kontribuar në paqen rajonale.
“Me vullnetin tonë të përbashkët, së pari do të ndërtojmë një Turqi pa terror dhe më pas një rajon pa terror “, tha presidenti turk dhe përsëriti se do të vazhdojë të udhëheqë një politikë të bazuar në stabilitet, bashkëpunim dhe paqe.



