Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Bebi Gjergji, është emëruar Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan.
Në fjalën e saj pas marrjes së detyrës, ajo u shpreh se ky është një vendim i marrë me përgjegjësi dhe përulësi, i udhëhequr nga motivimi profesional dhe njerëzor.
“Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal ‘Dr. Xhaferr Kongoli’ Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor”, – deklaroi Zheni Gjergji.
Ajo theksoi se, pavarësisht angazhimit të saj të mëparshëm politik, mbetet mbi të gjitha mjeke e përkushtuar ndaj profesionit dhe njerëzve që shërben.
“Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri”, – shtoi ajo.