Arrestimi i avokatit në Elbasan, Dhoma e Avokatisë njofton bojkot pesë ditor të seancave në të gjithë vendin

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shpallur bojkot të përgjithshëm të të gjitha proceseve penale në mbarë vendin, në shenjë proteste ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami. Vendimi, i marrë unanimisht nga Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë dhe i firmosur nga kryetari Prof. Dr. Maksim Haxhia, parashikon ndërprerjen e pjesëmarrjes së avokatëve në çdo proces penal – si në hetim ashtu edhe në gjykim – për periudhën 20 deri më 25 tetor 2025.

Sipas vendimit, përjashtim bëjnë vetëm çështjet që kanë të bëjnë me masat e sigurimit personal, si caktimi, ndryshimi, zëvendësimi apo shuarja e tyre. Dhoma e Avokatisë ka theksuar se mospjesëmarrja e avokatëve gjatë këtyre ditëve është arsye objektive për shtyrjen e të gjitha seancave gjyqësore.

Në dokumentin zyrtar paralajmërohet se moszbatimi i vendimit do të konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe mund të çojë deri në pezullim apo heqje licence për avokatët që nuk e respektojnë bojkotin.

Komiteti Drejtues ka kërkuar reagim urgjent nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për shqyrtimin e rastit Barjami, duke e cilësuar ngjarjen si “tepër të rëndë” dhe “cënim serioz të pavarësisë së profesionit të avokatit”.

Njëkohësisht, Dhoma ka vendosur të shtyjë tryezën e planifikuar me Ministrinë e Drejtësisë për datën 20 tetor, që kishte në qendër diskutimin e Projekt Kodit Penal.

Vendimi është dërguar për zbatim në të gjitha Dhomat Vendore të Avokatisë dhe do të depozitohet zyrtarisht pranë çdo gjykate, si dhe institucioneve të drejtësisë përkatëse.

Të Fundit