Në fshatin malor të Lorsicës, në brendësi të Genovas, një histori e pazakontë ka kthyer vëmendjen mediatike drejt një komuniteti të vogël me vetëm 375 banorë.
Në këtë zonë të qetë, të njohur për pyjet, gështenjat dhe rrëfimet e rezistencës partizane, një përplasje mes një fermeri 77-vjeçar dhe banorëve të tjerë ka ndezur debat.
Corrado Cavagnaro, banor i frazionit Costafinale, u gjobit javën e kaluar me 75 euro (pasi iu shtua edhe një penalitet) për “prishje të qetësisë publike”. Shkaku? Lopët e tij kullosin natën dhe shkaktojnë zhurmë me mugitjet dhe zilet e tyre. Gjoba iu komunikua nga karabinierët direkt në tokat e tij.
“Unë i nxjerr kafshët natën që kur isha fëmijë. U bën mirë freskia, liria, dhe qumështi është më i mirë kur i mjel në mbrëmje,” shpjegon Cavagnaro, citon La Repubblica. Por për banorët e afërt, kjo është një shqetësim: lopët shfaqen pranë shtëpive në orët e vona dhe zhurmat i zgjojnë nga gjumi.
Kryetari i bashkisë, Alessandro Graziadelli, thotë se kjo çështje ka sjellë një “popullaritet të tepruar” për zonën, ndërsa ai vetë përballet me sfida më të mëdha si rrëshqitjet e dheut dhe emergjencat klimatike. “Territori ynë ka 23 rrëshqitje dhe unë duhet të merrem me dy lopë që nuk futen në stallë?” proteston ai.
Ndërkohë, Cavagnaro nuk dorëzohet: “Nëse më gjobisin sërish, do t’i çoj lopët para Koloseut!” thotë ai me ironi, duke mbrojtur stilin e tij tradicional të jetesës. Ai kujton se dikur në Lorsica kishte 500 kafshë, ndërsa sot mezi numërohen 30. “Nëse duan një fshat pa fshat, le ta thonë,” shton ai, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të jetojë me lopët e tij, edhe nëpër livadhe larg syve të autoriteteve.