15 Tetor 2025 – Përmes një publikimi në rrjetet e saj sociale, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 17 tetor ora 17:00 në sheshin “Skënderbej” Tiranë, duke renditur arsyet pse gjyqi ndaj çlirimtarëve të Kosovës është i pabazuar në fakte dhe i padrejtë.
Në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve. Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit.
Alkimia djallëzore e shndërrimit të heronjve të djeshëm të moralit dhe aleatëve euroatlantikë, në vrasës, e kthimit përmbys me truke e trike juridike e të vërtetave historike, shpërblimi i agresorit të djeshëm me rivrasjen e viktimës është më shumë se kriminale. Ajo duhet të marrë fund ashtu siç nisi, menjëherë dhe pa kushte.
Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo ku rreh zemra e shqiptarit, ne jemi bashkë në një thirrje e një besim: Liria ka emër!
Liria ka emrin e çlirimtarëve të djeshëm dhe luftëtarëve të sotëm, që ndeshen për shumë më shumë se lirinë personale.
Po ndeshen për të vërtetën, kujtesën historike dhe të drejtën e një populli që nuk ka marrë shpagim e as nuk kërkon hakmarrje, por do, lutet e kërkon të marrë e do të marrë, vetëm drejtësi.
Në 17 tetor zemra e shqiptarëve anë e mbanë botës, kudo ku i ka çuar fati e kudo po ndërtojnë fatin e tyre, do të rrahë në sheshin Skënderbej.
Nën hijen e Heroit Kombëtar, ne do të protestojmë kundër padrejtësisë që prek të gjithë shqiptarët, çojmë zërin tonë në Hagë duke kërkuar kthimin në liri të çlirimtarëve.
Ajo që lindi si gjykatë speciale e parimeve të së drejtës nuk mund të jetë pafundësisht sinonim i padrejtësisë e turp i drejtësisë ndërkombëtare, që kërkon të përmbysë historinë, të relativizojë të vërtetën, të përdhosë sakrificën përmes padrejtësive proceduriale, paraburgimit të zgjatur pa gjyq.
E mbi të gjitha kur sot, ka vetëm një grusht akuzash të pabaza, të pafaktuara, pjellë e një raporti të diskretituar tanimë si prodhim fantazie nga hetimet serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i fortë dhe i pandashëm në përkrahje të Republikës së Kosovës, por edhe në denoncimin e kësaj padrejtësie, deri në kthimin në shtëpi të luftëtarëve.
Të premten në 17 tetor, në sheshin “Skënderbej”.
Shqiptarët bashkë për Lirinë! Për Drejtësinë! Për Kosovën!
Edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endriti, ka bërë thirrjen për protestën gjithëkombëtare, duke e shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram me mesazhin: A jeni gati?
Ngjarja, e organizuar nga komuniteti i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, synon të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Në këtë protestë do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa pjesëmarrës do të jenë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe lideri politik maqedonas, Ali Ahmeti.