Bllokohen hyrjet e Tiranës, trafik kilometrik deri në Vorë! Policia apel shoferëve: Përdorni rrugë alternative

Një situatë e rënduar trafiku është regjistruar gjatë ditës së sotme në aksin dytësor Vorë–Maminas, si pasojë e bllokimit të një segmenti të autostradës që lidh këto dy zona.

Trafiku është përqendruar kryesisht në rrugën dytësore, ku është krijuar një varg i pandërprerë automjetesh që nis nga kryqëzimi i Budullës (pranë Fushë-Krujës) e deri në zonën e Maminasit.

Kolona e automjeteve vlerësohet të jetë mbi 15 kilometra e gjatë. Sakaq, policia i bën thirrje shoferëve të përdorin rrugë alternative.

Njoftimi i Policisë:

Për shkak të mbylljes së përkohshme të autostradës Tiranë–Durrës, për arsye punimesh, të njoftuar me datë 10.10.2025, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, është krijuar trafik i rënduar në disa zona brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, me qëllim menaxhimin dhe lehtësimin e qarkullimit.

Policia e Tiranës u bën apel drejtuesve të automjeteve të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë, si dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat në lëvizje.

Të Fundit