STOP-EMISIONI 29(Sezoni 11) 10 Tetor 2025-Shtëpia-dhomë urgjence, qytetari kerkon ajer, restoranti i hedh tymin ne shtepi.

Në një rrugicë të qetë dikur, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, banorët sot jetojnë mes zhurmave të pandërprera dhe tymit, që po i mbyt brenda shtëpive të tyre. Një restorant aty pranë është kthyer në burim shqetësimi, sëmundjeje dhe ankthi.Ardjani tregon, se jeton me një aparat oksigjeni pranë shtratit. Sëmundja e mushkërive e ka izoluar në dhomën e tij, por edhe aty nuk gjen qetësi. Tymi, erërat e vajit të djegur dhe zhurmat po ia bëjnë jetën çdo ditë e më të vështirë.Ai thotë, se pas 40 vjetësh punë, nuk po merr dot frymë në shtëpinë e vet.Pak më tutje, një tjetër banor i zonës prej katër brezash, tregon, se nuk po mundet të hapë dritaret e shtëpisë, ndërsa netët i kalon pa gjumë, për shkak të zhurmave të dhomës frigoriferike, dhe ajrit të ndotur.Vetëm pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, menaxheri i restorantit, premtoi, brenda pak ditëve do të zhvendosë tubin e aspirimit dhe do të marrë masa për minimizimin e zhurmave.

Në një ditë të zakonshme, gazetari ynë vendosi, t’u bëjë një shaka qytetarëve, duke kërkuar t’i puthë e t’u falë dashuri.Reagimet e njerëzve ishin nga të ndryshmet, nga habia e deri te puthja reciproke.

Në Krumë të Hasit, një pallat i ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave për strehimin e 35 familjeve, ka përfunduar prej vitit 2021, por banorët ende nuk kanë hyrë në shtëpitë e tyre. Shkak për këtë vonesë të pajustifikuar, është një ngërç kontraktual dhe gjyqësor mes firmës ndërtuese “Lala” dhe Entit të Banesave.Banorët, që prisnin të merrnin çelësat dhe të nisnin pagesat për banesat e reja, janë lënë në mëshirë të qirave të larta dhe pritjes së pafund. Firma pretendon, se janë mbajtur padrejtësisht penalitete dhe se problemi është në proces gjyqësor. Ndërkohë, Enti ka paralajmëruar, se nëse dokumentacioni nuk plotësohet, do të ndërhyjë për të marrë në dorëzim objektin brenda disa muajsh.Pra, pallati është gati, por banesat mbeten bosh, ndërkohëqë 35 familje jetojnë në pasiguri, për shkak të një kontrate, që zvarritet në gjykatë.

Të Fundit