Në hollin e Pallatit të Kongreseve u zhvilluan homazhe në nderim të gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, i cili u vra dy ditë më parë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, ndërsa ishte në krye të detyrës.
Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishin familjarë, kolegë të gjyqtarit, përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, pas homazheve, dha një deklaratë për mediat, duke ngritur alarmin për mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore të vendit.
“Patjetër që duhen marrë masa, sepse situata është shumë kritike. Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë.
Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi,” – u shpreh Sadushi.
Astrit Kalaja u vra brenda në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, pak çaste pasi kishte shpallur vendimin në një çështje pronësie ku xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, ishte një nga palët.
Në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të përfshirë si palë e tretë në të njëjtën çështje gjyqësore.