Dionis Sota është kandidati i parë për kryetar bashkie në Vlorë. Sota turoperator dhe njëkohësisht kryetar i shoqatës turistike Arta ka shpallur kandidaturën si kandidat të pavarur.
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Sota ka renditur gjërat që do bëjë ndryshe për Vlorën teksa ka një thirrje drejtuar partive opozitare dhe jo vetëm, të bashkohen për të mbështetur kandidaturën e tij.
“Unë kandidoj me besim të plotë për një qytet ku çdo banor, nga qendra e Vlorës deri në fshatrat e Orikumit, Shushicës dhe Novoselës të ndihet i vlerësuar. Një Vlorë plot motivacion, energji dhe dashuri pa ndasi apo armiqësi! Vlora është dhe duhet të jetë e para, dhe çdo vlonjat është një perlë e çmuar!
I gjithë frymëzimi vjen për fëmijët tanë, prindërit tanë dhe gjyshërit e gjyshet e shtrenjta!
Kjo nismë personale është një sakrificë sfiduese, e lindur vetëm 48 orë më parë nga shtysa e miqve dhe koincidencat e jetës nga Zoti i vetmi far i rrugëtimit tim!
Ndiej mall dhe ligështim të thellë për të gjithë shoqërinë dhe miqtë tanë që emigruan dhe emigrojnë duke humbur shpresën në këtë perlë të Shqipërisë, të keqpërdorur kaq e kaq vite pa asnjë transparencë. Është e dhimbshme…
Por unë dua me shpirt ta kthejmë Vlorën në një shtëpi të ripopulluar, për fëmijët tanë që të rriten këtu, për gjyshërit dhe gjyshet tona të dashura larg vetmisë! Unë e njoh këtë qytet që prej 45 vitesh. Kam lindur, jam rritur, kam punuar këtu e vazhdoj të punoj duke takuar e njohur mijëra njerëz punëtorë, ambiciozë, por edhe plot halle të përditshme dhe pengesa. Me përulësi e them se i njoh konsiderueshëm problemet e këtij qyteti dhe ç’do fshat përreth!
Prioritetet Urgjente: Për Çdo Qendër Administrative!
Unë premtoj vëmendje të barabartë për të gjitha qendrat tona administrative: Vlorë, Orikum, Qendër Vlorë, Novoselë dhe Shushicë!”, shkruan veç të tjerash Sota.