Delegacioni i BE dënon vrasjen e gjyqtarit: Nevojë urgjente për rritjen e sigurisë

Delegacioni i BE-së ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit, Astrit Kalaja. Në reagim delegacioni i BE-së dënon aktin kriminal ndërsa ka shprehur ngushëllimet për familjen Kalaja. Më tej BE ka vënë theksin tek rëndësia dhe nevoja urgjente që në vend të rritet siguria.

“EUDEL është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne dënojmë fuqimisht këtë akt kriminal. I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së gjyqtarit Kalaja.

Kjo tragjedi thekson nevojën urgjente që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit. BE qëndron e palëkundur në mbështetjen e reformës në drejtësi dhe në mbrojtjen e sundimit të ligjit në vend,” shkruhet në reagim.

Gjyqtari Astrit Kalaja pasditen e sotme u plagos për vdekje me armë gjatë një seance në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona, babë e bir të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Kalaja nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Autori i ngjarjes është arrestuar dhe ka pranuar fajësinë. Ai nuk ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes dhe gjatë dëshmisë nuk ka shfaqur pendesë. Ai është shprehur se ishte i detyruar të kryente aktin sepse po humbiste gjyqin.

Të Fundit